Live

Osmani: Refugjatët nuk janë numra, por janë histori mbijetese, force dhe shprese

15:22 / 20 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvojën e saj personale si refugjate, duke thënë se refugjatët nuk janë numra, por histori të mbijetesës dhe forcës.

Osmani ka shkruar se përvoja e të qenit refugjat është ende e freskët në kujtesën e popullit të Kosovës, që përjetoi dëbimin masiv nga shtëpitë gjatë luftës së fundit.

“Refugjatët nuk janë numra. Ata janë histori mbijetese, force dhe shprese. Edhe unë isha refugjate, ashtu si shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë tona përmes veprimeve gjenocidale të Millosheviqit.”

Presidentja shtoi se kjo ditë është kujtesë se askush nuk zgjedh të jetë refugjat, por çdokush mund të bëhet i tillë.

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve, duhet t’i kujtojmë vetes se askush nuk dëshiron të jetë refugjat, por kushdo mund të bëhet i tillë.”

“Ne kujtojmë se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, sigurinë, zërin tënd. Ne betohemi të mos harrojmë kurrë”, shkroi Osmani.

Shpërndaje në

U Kopjua