Live

Zgjedhjet e 12 tetorit, nis periudha për certifikim të partive dhe dorëzimin e listës të kandidatëve

13:36 / 26 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

KQZ bën me dije se kjo periudhë do të përfundojë më 13 gusht dhe me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, do të mundësohet aplikimi online.

“Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do t’iu krijojë dhe dërgojë ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre”.

Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës njofton se do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, njofton KQZ.

Shpërndaje në

U Kopjua