Sot, me fillim nga ora 11:00, deputetët e zgjedhur do të mblidhen për të vazhduar seancën e 38-të konstituive.
Seanca e së premtes u shty për ditën e diel (sot), pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim liderët e partive të tjera politike, transmeton Klankosova.tv.
Por ky takim, që u mbajt të shtunën dhe zgjati për mbi dy orë, nuk duket që prodhoi rezultat pozitiv.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit deklaroi se qëndrimet e Kurtit nuk kishin ndryshuar sa i përket situatës në Parlament.
“Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua në këtë takim, meqenëse se qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë ato që kanë qenë deri më tani dhe as nuk e respektonin dhe as s’e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses edhe për votimin e fshehtë dhe për çështjen e përgjegjësisë që i takon atij. Me lejoni të theksojë se për LDK-në, përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit, me paragrafin 130 të aktvendimit të Kushtetueses. Kurti e pranoi që s’ka shumicë por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pasur deri më tani”, u pati deklaruar Abdixhiku.
Nga ana tjetër, kryetari i rizgjedhur i PDK-së, Memli Krasniqi kishte thënë se takimi i thirrur nga Kurti mund të ishte si shkak i aktrimit për të përmbushur një obligim.
“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë, Kurti është i njëjtë, qëndrimet e tij mbesin të njëjta dhe mentaliteti imponues vazhdon të jetë më e rëndësishme se gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin”, ishte shprehur Krasniqi.
Sakaq, Fatmir Limaj i Nisma-s deklaroi se në këtë takim i ftoi drejtuesit të fokusohen në marrëveshje politike për të zgjidhur krizën politike.
“Takimi si takim për mendimin tim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime të tjera. Natyrisht, takimi i parë është gjithmonë më i vështirë derisa të njihen pozicionet politike. Unë mendova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën e asaj që e presin qytetarët e Kosovës. I ftova të gjithë drejtuesit aty që të fokusohemi në marrëveshje politike, e cila menjëherë zgjidh krizën”, kishte thënë Limaj.
Ndërsa përfaqësuesja e AAK-së, Time Kadridjaj thoshte se ka shpresë që i pari i VV-së të reflektojë
“Të kthehet çështja e votimit në votim të hapur. Është e drejta e VV-së të kandidojë secilin që do, por obligimi i tyre është me i siguru 61 vota që me e kalu kryetarin e Kuvendit. Forma dhe mënyra e përzier që me u votu kryetari i kuvendit bashkë me nënkryetarët e kuvendit, nuk ka sens, praktika që nuk janë praktikuar më herët. Po insistojnë në këtë praktikë që është antiligjore, dhe në formën e prerë Kushtetuesja ka thënë që të votohet ashtu siç kanë qenë praktikat e mëhershme, këta po e përziejnë që nuk refuzohet votimi i fshehtë. Shpresoj që Kurti do të reflektojë, nuk do të kërkojë në formimin e komisionit”, ka thënë Kadrijaj, njofton Klankosova.tv.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati thënë se në takimin me liderë të partive politike propozoi dy kompromise, por që sipas tij, që të dyja u refuzuan.
“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi në emër të VV-së. Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë s’i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim personal të saj. Kompromisi i dytë ishte që lë ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshja në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë që mund ta rrëzojmë me votë sepse procesi ka ngelur në gjysmë”, tha i pari i VV-së.
Megjithëse, nëse ka ndryshuar diçka rreth situatës bllokuese në Kuvendin e Kosovës, gjithçka merret vesh pas disa orëve.