Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se ka pranuar ftesën nga presidentja Vjosa Osmani për një takim që do të zhvillohet nesër, ku do të diskutohet situata politike e krijuar në Kosovë, e cila ka vazhduar tash e pesë muaj.
Krasniqi ka theksuar se do të jetë pjesë e këtij takimi dhe ka shprehur optimizëm për mundësinë e një zgjidhjeje, duke shtuar se janë duke kërkuar kompromise për të dalë nga situata aktuale.
“Kam pranu ftesën dhe besoj nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi i njëjtë që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që jemi duke munduar të gjejmë zgjidhje dhe të ofrojmë kompromise për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Krasniqi.
Ai gjithashtu ka komentuar se shpreson që situata të ndryshojë dhe se presidentja të marrë rol aktiv në këtë proces, duke shtuar se, megjithatë, nuk është i sigurt për rezultatin e mundshëm të këtij takimi. Sipas tij, bllokada politike në vend është një rezultat i “kryeneçësisë së LVV-së”.
“Ne kemi pasur kërkesë edhe më herët që presidentja të marrë rolin e saj dhe të involvohet. Kemi pasur edhe takimin që ka qenë para disa javësh, e shoh pozitiv në kuadër të angazhimit, por nuk di çka të them për mundësinë e rezultatit, sepse në fund të fundit bllokada është prodhim i kryeneçësisë së LVV-së,” ka shtuar ai.
Kujtojmë se edhe sot ka dështuar seanca e 40-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kuvendit.