Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten, tha se tema kryesore ishte bllokada në Kuvend dhe mënyrat për daljen nga kjo situatë.
Haradinaj theksoi shqetësimin e presidentes për kalimin e kohës dhe mungesën e përparimit, duke theksuar nevojën për kthimin e votimit të hapur për të arritur një kandidat konsensual.
Ai shtoi se, pavarësisht vendimit të gjykatës, situata mbetet e ngatërruar dhe se nuk dihet si do të tejkalohet bllokada aktuale.
“Tema ishte bllokada në Kuvend dhe si me dalë edhe pas vendimit të gjykatës. Presidentja ka shqetësim se koha po ec shpejt, afati është 30 ditor u interesua për mënyrën se si mundet me dalë nga kjo situatë Kosova. Ne kemi shpresuar që pas vendimit VV-ja do ta shfrytëzojë mundësinë për me kthyer në votim të hapur, ne kemi shpresuar që do të mbërrijmë tek një kandidat konsensual, por kemi ngecur tek ky komision që është i gabuar. Për çdo votë që nuk ka kaluar nuk është rikthyer në të kaluarën, çdo gjë që nuk ka kaluar në votim nuk është rikthyer. Kemi ngecur, nuk e di se si do të dalim prej kësaj. Qëllimet i kemi thënë në mënyrë që ta ndihmojmë gjendjen, kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit të hapur dhe votimit. Një temë që ishte diskutuar është se çfarë ndodh pas 30 ditësh, gjykata e ka forcuar shumë vendimin.”
Haradinaj është lideri i katërt me radhë që sot e takoi Osmani.
Presidentja më herët ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuyrti, atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Osmani takoi liderët e partive parlamentare veç e veç, në përpjekje për të gjetur rrugën drejt daljes nga ngërçi politik në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit.