Live

Policia e Ferizajt krahason statistikat e qershorit me vitin e kaluar: Bie numri i vjedhjeve, rritet numri i lëndimeve trupore

09:50 / 03 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj i ka publikuar statistikat duke i krahasur të dhënat mes këtij viti dhe 2024-tës, lidhur me numrin e veprave penale dhe rasteve të trajtuara gjatë qershorit.

Organet e rendit njoftojnë e kanë marrë një sërë masash për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale.

Nga kjo Drejtori, bëjnë të ditur se është rritur për 100 për qind numri i lëndimeve të rënda trupore dhe për 27.3 për qind numri i lëndimeve të lehta trupore.

Derisa në qershor të vitit të kaluar, janë evidentuar 43 raste të vjedhjes, statistikat për këtë vepër penale janë ulur për 27.9 për qind në qershor të këtij viti, me vetëm 31 raste të evidentuara, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu edhe numri i vjedhjeve të rënda ka rënë, teksa nuk ka pasur asnjë rast të grabitjes.

Si në vitin 2024, ashtu edhe këtë vit, në qershor nuk është regjistruar asnjë rast i vrasjes.

Ndërkohë, në krahasim me qershorin e 2024-tës, është rritur numri i arrestimeve bazuar në autorizimet policore, por ka rënë ai i arrestimeve me urdhëresë të gjykatës.

“Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë e rajonale të Ferizajt për parandalimin dhe luftimin e veprave penale. Çdo rast mund të raportohet në këto mënyra: drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”, në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250, 0290/322-406. Sigurojmë qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht”, thuhet në raportin e DRP-së së Ferizajt.

Shpërndaje në

U Kopjua