Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të ketë pasoja juridike nëse nuk respektohet afati prej 30 ditësh i caktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit.
Këtë deklaratë, e para e vendit e bëri pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit të kadetëve të FSK-së, të cilët u graduan në oficerë.
“Është shumë me rëndësi, në këtë aktgjykim i jepet një rëndësi e madhe analizës se a po e kryejnë deputetët funksionin e tyre apo jo. Dhe është konstatim i aktgjykimit që në aspektin funksional deputetët nuk janë duke arritur që ta kryejnë funksionin e tyre”.
“Në qoftë se ata nuk e kryejnë këtë funksion brenda 30 ditësh, që do të thotë konstituimin e Kuvendit dhe realizimin e detyrimit të tyre kushtetues që të jenë përfaqësues të popullit – sepse në Kushtetutën tonë populli është sovrani, por ky sovranitet shprehet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend – dhe nëse ne nuk po mund ta ushtrojmë sovranitetin nga kapitulli 1 i Kushtetutës sepse populli nuk po mund të ushtrojë sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, kjo është një nga shkeljet më të rënda që nga dita kur Kushtetuta e Kosovës është miratuar”, u shpreh Presidentja, siç raporton EO.