Policia e Sarandës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, ka liruar një tjetër hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme në vijën bregdetare, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”.
Gjatë kontrolleve në një stacion plazhi, u konstatua se administratorja e subjektit, shtetasja A. M., 63 vjeçe, kishte zënë një sipërfaqe toke publike pa leje, duke vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi.
Ndaj saj është nisur procedim penal për veprën “Pushtimi i tokës”, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Sarandës.
Policia njofton se operacioni do të vijojë përgjatë gjithë sezonit për të liruar hapësirat publike dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e aktiviteteve në zonat bregdetare.