Live

Pushojnë hetimet për ish-sekretarin Arben Çitaku dhe 16-të persona të tjerë

13:38 / 08 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur të pushojë hetimet ndaj një grupi të madh të dyshuarish, përfshirë zyrtarë publikë dhe persona të tjerë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Siç raporton Sinjali, hetimet kanë pushuar ndaj Arben Çitakut, ish-sekretarit të ministrisë së Ambientit dhe 16-të personave të tjerë.

Hetimet kanë pushuar edhe për Lubijsha Stojkoviq, Abedin Salihun, Halim Maliqi, Sadri Luma, Igor Joçinaq, Abdullah Pirçe, Blerim Imeri, Naim Alidema, Labinot Vitija, Nazmi Maxherën, Muhamet Malsiun, Liridon Domaneku, Milosav Grabiq, Arton Retkoceri, Ramiz Kameri, Dalibor Divkoviq.

Të gjithë këta persona ishin nën hetim që nga viti 2022 për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ryshfetet, dhe ushtrimin e ndikimit.

Hetimet kishin për qëllim zbardhjen e veprimtarisë së pretenduar penale për: Marrje ose dhënie ryshfeti, Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrim ndikimi, Falsifikim të dokumenteve zyrtare, Mbajtje e paautorizuar e armëve.

Pas shqyrtimit të provave dhe rrethanave të rastit, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për të vazhduar ndjekjen penale, dhe ka pushuar zyrtarisht procedurat hetimore ndaj të gjithë të përfshirëve.

Shpërndaje në

U Kopjua