Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji, pesë policëve të dyshuar për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu. Të arrestuarit janë Ibrahim Nela, Liridon Rrahmani, Artidon Konxhel, Albian Raktoceri dhe Endrit Beqiri, zyrtarë policorë nga stacionet në Lipjan dhe Ferizaj.
Në dosjen e Prokurorisë, në të cilën zbardhen detaje të reja përmes dëshmisë së qytetarit G.B, ai ka treguar momentet kur e pa 27-vjeçarin në gjendje të rënduar psikike dhe fizike.
“Me këtë datë rreth orës 00:00, kam qenë me veturën time të modelit Golf 7 dhe duke kaluar e kam parë Agonin i cili kishte qenë afër një veture të modelit Tiguan dhe i njëjti dëshironte të hynte në veturë, mirëpo nga vetura dolën një djalë dhe një grua të cilët nuk e lejuan të hynte.”
Fillimisht, ai kishte menduar se ishte një kacafytje.
“E kam marrë Agonin dhe e kam afruar tek vetura ime ku jam munduar ta qetësoj dhe e kam pyetur se çfarë ka, ndërsa i njëjti vetëm thoshte ‘largomi se po më ngucin, mos i le me më nguc njerëzit, rri me mu’, ku këtë fjalë e ka përsëritur disa herë.”
Sipas dëshmitarit, Agoni mezi qëndronte në këmbë dhe i dilte shkumë nga goja.
“Disa herë jam munduar ta bindë që ta dërgoj tek doktori apo tek shtëpia e tij, mirëpo nuk ka pranuar.”
Në vendin e ngjarjes kishte kaluar edhe Prokurori Ardian Emini, që sipas dëshmitarit, “është ndalur vetëm për të shikuar se çfarë është duke ndodhur pasi që njihemi mes vete”.
Më tej, dëshmitari rrëfen se Agoni kishte frikë se po ndiqej dhe tentonte të futej në çdo veturë që kalonte.
“Në momentin që ndonjë kalimtar kalonte afër tij, Agoni menjëherë shikonte vetëm se si të largohej… kur ka ardhur një patrullë policore, Agoni ka dashur të hyjë në veturë zyrtare, por është rrëzuar për tokë”
Policët, sipas dëshmisë, kishin përdorur sprej lotsjellës për ta ndaluar.
“Agoni ka hyrë në veturën time dhe më ka thënë që mos ti lejoj të e ngucin… prapë ka pasur shkumë në gojë të cilën e fshinte me bluzë tek kraharori.”
Në një moment, Agoni kishte dalë sërish nga vetura dhe ishte kapur nga policët.
“Policët e kanë kapur dhe e kanë shtrirë për tokë… njëri nga ta i kishte vendosur gjurin në shpinë tek pjesa e qafës duke e shtypur për toke.”
Gjatë arrestimit, dëshmitari dëgjoi Agonin duke thënë:
“Mos më lidhni se nuk kam bërë kurgjo” dhe “nuk muni mem lidh se unë punoj sigurim”.
Pas kësaj, ai Kishte parë “dy apo tri tuba shkumë në tokë” dhe u kishte kërkuar policëve ta lënë të qetë, raporton Insajderi.
“Ju kam thënë zyrtarëve policor lene mos e munoni se nuk është në gjendje me ba kurgjo, mirëpo asnjë nuk ka folur me mua.”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi.
Në fund, ai thotë se Agoni u ngrit pa vetëdije dhe, sipas dëshmisë, policët tentuan ta kthejnë në vetëdije.
“Janë munduar ti lagin sytë me ujë dhe ta kfjellin duke e goditur me shuplaka në faqe, e më pas ka ardhur ambulanca ku Agonin e kanë vendosur në shtratin e ambulancës ende me duart e lidhura.”
Dëshmitari largohet nga vendi i ngjarjes në atë moment dhe thotë se nuk di më çfarë ka ndodhur me Agonin pas transportimit me autoambulancë.