Live

AAK synon rrëzimin e qeverisë Kurti, PDK e LDK shprehin rezerva për mocionin e mosbesimit

10:10 / 27 Korrik 2023

Nga Kosova Live

“Me numrat që opozita i ka mocioni s’mund të ketë sukses”. “Idetë për të tubuar nënshkrime në këtë kohë nuk kanë qenë shumë të harmonizuara”.

Kështu e kanë thënë dy përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht deputetja Hykmete Bajrami nga LDK dhe Ferat Shala nga PDK, duke komentuar nismën e partisë tjetër opozitare Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Bajrami tha se LDK-ja është e qartë kristal që me numra të cilët ekzistojnë në Kuvend, me formacionet politike aktuale, “ky mocion s’mund të ketë sukses, edhe me nënshkrimet e LDK-së”.

“Prandaj LDK-ja do të jap nënshkrime vetëm atëherë kur të jetë e sigurt që janë numrat për rrëzimin e qeverisë”, theksoi ajo, duke shtuar se “për momentin nuk ka numra”.

Nga ana tjetër, Shala nga PDK potencon se qëndrimi i partisë së tij është i përcaktuar tanimë publikisht edhe nga kryetari Memli Krasniqi, duke treguar se deputetët e PDK-së “nuk mund që të japin asnjë nënshkrim pa u koordinuar dhe harmonizuar me qëndrimet tona”.

“Në kuptimin e përgjithshëm ne e kemi përzgjedhur rrugën; nuk do të votojmë asnjë nismë të qeverisë derisa të ndryshojë gjendja politike dhe e sigurisë në vend, derisa të kemi një ndryshim dhe qasje tjetër të ekzekutivit”, njofton për rrugën e PDK-së, ndryshe nga ajo e AAK-së.

Edhe Bajrami nga LDK shprehet se partia do t’i japë nënshkrimet për mocion, por këtoëdo ta bëjnë vetëm atëherë kur të marrin garancën se mocioni do ketë sukses.

“Edhe AAK-ja, edhe ne të gjithë të tjerët e dimë se opozita nuk mundet ta rrëzojë një qeveri që e ka shumicën në Kuvend. Deri në momentin që ky raport i numrave të ndryshojë asnjë tentativë nuk mund ta ndryshojë” ”, shpjegon Bajrami qëndrimin aktual të partisë që ajo përfaqëson.

Deri më tani, pohon ish-ministrja e Financave, “nuk kemi indikacione që dikush prej grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka shprehur hapur pakënaqësi dhe që do ta votojë një mocion të tillë”.

“Kështu që pa u bashkangjitur deputetë të VV-së mocioni nuk ka sukses”, potencon ajo, duke shtuar që “tentativave të cilave ua dimë rezultatin paraprakisht, që është negativ, nuk e besoj që do t’i bashkëngjitemi”.

Ndërsa, nga partia më e madhe opozitare PDK, tregojnë se bojkoti i nismave të qeverisë nuk do të thotë “që do të tërhiqemi nga debati dhe nga propozimi i ideve për të dalur nga situata në interes të shtetit, qoftë kjo për sferat e brendshme si ato ekonomike, sociale, por edhe për sferat e jashtme siç është bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarët dhe integrimi euroatlantik”.

“Tash për tash kemi vetëm këtë qëndrim, dhe nuk mund të japim asnjë nënshkrim, sepse idetë për të tubuar nënshkrime konsiderojmë që në këtë kohë nuk kanë qenë shumë të harmonizuara”, tregon ai.

Ndryshe, për herë të parë nismën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurti e kishte paraqitur Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media të mërkurën e 31 majit, pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

“Të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në zhvillimet e fundit. E para ka të bëjë me rrezikimin e sovranitetit dhe sigurisë në Veri dhe e dyta është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, thoshte Haradinaj.

Ai pohonte se kryeministri Kurti është përgjegjës për situatën e krijuar në pjesën Veriore të Kosovës, ku protestuesit serbë përgjatë ditëve të fundit janë përplasur me Policinë e Kosovës dhe misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR), në përpjekje për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyre.

“Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë më SHBA-në, pra me planin e tyre për integrim të veriut, ka vazhduar me një plan të vetin, për të nxitur konflikt në veri që është interes i Rusisë dhe i [Presidentit Vladimir] Putin”, shtonte ai.

Pas kësaj konference, Haradinaj, por edhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie vazhdimisht kanë kërkuar që kjo nismë të jetësohet dhe për këtë më ngulje kanë kërkuar edhe mbështetjen e partive të tjera opozitare, mirëpo për një arsye apo tjetër, deri më tani asnjëra nga to nuk e ka përkrahur.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...