Live

Abbott ia bën të qartë Konjufcës: Rregullorja e BQK-së të mos shihet vetëm në aspektin e sovranitetit

18:08 / 12 Shkurt 2024

Nga Kosova Live

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott për takimin lamtumirës që pati me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ishte diskutim i hapur dhe me plot humor, shkruan Reporteri.net.

Në një postim të bërë në Facebook, Abbott ka bërë të ditur se me Kryeparlamentarin Konjufca kanë folur edhe për rregulloren e BQK-së, e cila ndalon pagesat me dinarë.

Ambasadori britanik tha se ia ka bërë të qartë Konjufcës qëndrimin e tij se çështja për dinarin nuk duhet të merret vetëm në aspektin e sovranitetit.

“Si zakonisht, thirrja ime lamtumire me kryeparlamentarin Glauk Konjufca ishte një diskutim i hapur dhe plot humor. Ndër temat e tjera diskutuam rregulloren e BQK-së dhe qëndrimin tim se kjo është një çështje që duhet të merret parasysh në aspektin e qeverisjes së mirë dhe marrëdhënieve me komunitetin dhe jo vetëm në aspektin e sovranitetit.
Jam i kënaqur që marrëdhëniet mes dy parlamenteve tona mbeten shumë të forta”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Ndryshe, sot BQK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se periudha e tranzicionit për ndalimin e dinarit mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

“Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”, thuhet tutje.

BQK-ja tha se njofton opinionin publik lidhur me planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.

“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua