Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar krijimin e një qeverie tranzicioni me pjesëmarrje të të gjitha partive politike, e cila do të funksiononte deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se qëllimi kryesor është zhbllokimi i krizës aktuale politike dhe krijimi i një momentum të ri për Republikën e Kosovës.
“Le të nisim një proces që nis zhbllokimin e krizës së tanishme dhe krijon një momentum të mirë për Republikën e Kosovës brenda një afati të shkurtër”, u shpreh ai.
I pyetur se kush do ta udhëhiqte një qeveri të tillë, Abdixhiku tha se kjo është një çështje për të cilën duhet të diskutohen të gjitha palët.
“Shiqo, ne duhet të ulemi në tavolinë dhe të flasim për atë çështje”, deklaroi kreu i LDK-së.
Ai theksoi se si kryeministri, ashtu edhe kabineti qeveritar, duhet të jenë figura që bashkojnë dhe jo që thellojnë ndarjet politike.
“Duhet të jetë kryeministër unifikues dhe kabinet me ministra unifikues, e jo fare polarizues”, tha Abdixhiku.