Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në lidhje me ftesën e presidentes Vjosa Osmani tha se LDK-ja e mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja dhe u shpreh se insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë.
“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë”.
“Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje me shumë përfitime për vendin, sepse, më shumë se dëshirat partiake, Kosova ka nevojë për institucione funksionale. Këtë propozim do ta paraqesim dhe në takimin në fjalë”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se javën që shkoi, LDK-ja tha një zgjidhje dhe sipas tij, ajo mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë, përcjell Klankosova.tv.
Abdixhiku u shpreh tutje se ky propozim i tyre nuk është ideale, por siç tha, mbetet e përgjegjshme dhe shtetare.
Javën e shkuar LDK-ja dha një zgjidhje. Ajo, deri më tani, mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë. Nuk është ideale, por gjithsesi mbetet e përgjegjshme dhe shtetare. Po pajtohemi që nuk ka shumicë. Po pajtohemi se jemi në krizë. Po pajtohemi se na duhen zgjedhjet eventualisht. Le të punojmë për të gjitha; por deri atëherë shtetit t’i japim një qeveri e qytetarëve adresim të menjëhershëm të problemeve të tyre. Një Qeveri Nacionale të Tranzicionit – me mandat të kufizuar, me agjendë e detyra të përbashkëta deri në zgjedhjen e Presidentit”.
“Jo për ta zgjedhur pushtetin, por për ta zgjidhur nyjën e krizës. Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur atë nga paraliza institucionale. Si përgjigje ndaj propozimit tonë, fatkeqësisht deri më tani kemi dëgjuar vetëm insistim në dëshira të njëjta partiake që nuk përcillen me një shumicë reale. Edhe sot, një javë nga dhënia e idesë e 3-4 seanca të mërzitshme pas, Kosova mbetet në gjendjen e njëjtë”, shkroi tutje ai.