Live

Abdixhiku: Zyrtarisht sot filluam me fazën e parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për zgjedhjet lokale 2025

18:02 / 08 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot ky subjekt politik zyrtarisht e ka nisur sot fazën e parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025, në takim me kryetarët e degëve të LDK-së.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se gjatë javëve në vijim, LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë.

“Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të vendit. LDK fton të gjithë ata që ndajnë vizionin politik dhe vlerat themelore të njëjta si tonat, si dhe ata që kanë vullnetin për të përfaqësuar me përgjegjësi qytetarët e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht të komunave përkatëse të bëhen pjesë aktive e këtij procesi të rëndësishëm në shërbim të interesit publik komunal”.

“LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave. Prandaj, bashkë me anëtarësinë tonë të gjerë dhe çdo qytetar të angazhuar për një Kosovë më të mirë, do të bëhemi pjesë aktive e këtij rrugëtimi. Të përgatitur e të angazhuar bashkërisht do të sjellim edhe njëherë fitore bindëse dhe përfaqësim të dinjitetshëm në çdo komunë të vendit”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se si parti fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me përgjegjësi qeverisëse në nëntë komuna dhe me 206 këshilltarë lokalë, LDK-ja hyn në këtë proces me përkushtim të plotë dhe besim të palëkundur në fuqinë e saj përfaqësuese. 

Shpërndaje në

U Kopjua