Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se do të jetë sërish kandidat i PDK-së për kryetar të kësaj komune.
Aliu tha se përgjatë viteve të qeverisjes i dha Ferizajt atë që sipas tij, i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas.
“Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj! Ju më dhatë më të shtrenjtën e më të çmueshmen tuajën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm, privilegjin e papërsëritshëm, përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej ju, në çdo ditë të punës sime”.
“Po, unë dhe ekipi im, jemi në punë, jemi çdo ditë me ju, bashkë ndajmë sukseset e sfidat, pa e ndalur asnjëherë hapin tonë për ta bërë gjithnjë më të mirën”, tha Aliu, transmeton Klankosova.tv..
Tutje, ai u shpreh se mbështetja e pamatshme e qytetarëve të Ferizajt, është dëshmia e vizionit se një qytet mund të transformohet tërësisht.
Është thirrja juaj së cilës i kam thënë PO gjithnjë dhe i them PO sërish. Për Ferizajn që pakrahasimisht rritet e zhvillohet çdo ditë, për Ferizajn e veprave identitare, për Ferizajn që e qeverisin ferizajasit me besimin e fjalën e tyre, për Ferizajn – dashurinë tonë të madhe për të cilën kemi nderin e detyrën t’i shërbejmë përulësisht”.
“Energjiplotë, pandalshëm, me punën dëshmitare, mirëpresim 12 Tetorin, fjalën tuaj që buron nga zemra, nga dashuria juaj për Ferizajn, nga i kristalti besim që nuk ndërtohet për një ditë, as për një fushatë zgjedhore, por që provat e dëshmitë i dha ndër vite”, tha ai.