Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Fajdeja”, dhe një personi tjetër me iniciale, A.Sh.
Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr tre mijë euro ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 euro kamata mujore.
Në komunikatë bëhet e ditur se i dëmtuari për gjashtë muaj rresht vazhdon të paguajë nga 300 euro kamata mujore, pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej katër mijë euro ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguajë 700 euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej shtatë mijë euro kërkon kamatë mujore në shumë prej një mijë e 500 euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18 mijë euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Po ashtu, i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privojw nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Gjithashtu, i pandehuri D.Sh., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale “Fajdeja”, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe një filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ndërsa, i pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K., – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheqë deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit “WhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K.,(të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen. Me këto veprime, i pandehuri A.Sh., ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Po ashtu, konform dispozitave të nenit 235 të KPP-së, prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit D.Sh., t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, duke përfshirë një automjet, telefona dhe të holla.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprt penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.