30 ditë, e hiç më shumë. Ky është afati që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ua ka vendosur deputetëve për konstituimin e Kuvendit, proces i cili ka nisur që nga 15 prilli.
Numërimi mbrapsht për deputetët e legjislaturës së 9-të nisi nga e enjtja e 26 qershorit, kur u publikua ky aktgjykim, raporton Kiks Kosova.
Fjala e “gardianit” të Kushtetutës u mirëprit e u përshëndet nga të gjitha partitë politike dhe secila prej tyre pretendon se ka pasur të drejtë gjatë gjithë kësaj kohe.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, pohoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson atë që kjo parti ka përsëritur e insistuar që nga fillimi i procesit të konstituimit të Kuvendit.
Prandaj, subjekti i cili doli i pari në zgjedhjet parlamentare, kërkon që opozita të marrë pjesë në votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryekuvendarit.
E nga Partia Demokratike e Kosovës konsiderojnë se kushtetuesja e ndaloi lojën e partisë së parë për bllokim të këtij procesi. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, shkroi në Facebook se ky aktgjykim duhet të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në një mendim me PDK-në është edhe partia e tretë me radhë. Në komunikatën e lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës thuhet se ky aktgjykim i dha fundit bllokimit që Vetëvendosje po ia bënte konstituimit të Kuvendit.
E Ramush Haradinaj, partia e të cilit e dërgoi këtë çështje në Kushtetuese, u shpreh i lehtësuar me aktgjykimin e këtij institucioni. Kryetari i AAK-së apeloi në respektimin dhe zbatimin e këtij vendimi, siç tha ai, për të tejkaluar ngërçin e krijuar politik.
Gjykata Kushtetuese e nxori këtë aktgjykim pas kërkesës së deputetes Time Kadrijaj dhe 10 kuvendarëve të tjerë të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimeve të nxjerra nga seanca për konstituimin e Kuvendit që nisi gati 2 muaj e gjysmë më parë.