Live

Aktivistët që mbrojtën Vjosën fitojnë Nobelin e Mjedisit – Goldman Prize 2025

18:54 / 22 Prill 2025

Nga Kosova Live

Në ceremoninë e organizuar këtë të martë në nder të tyre, në Opera House të San Franciskos, aktivistët nga Shqipëria, Besjana Guri dhe Olsi Nika, nga organizata “Eco Albania” tërhoqën çmimin “Goldman”, të njohur si Nobeli i Mjedisit.

Ata morën vlerësimin më të lartë që jepet në botë për aktivistët e mjedisit, për betejën e tyre mbi 10 vjeçare në mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve. Fal tyre, qeveria shqiptare e shpalli Vjosën si Park Kombëtar të një Lumi të Egër, në mars të vitit 2023.

Ceremonia në San Francisko është një ngjarje prestigjioze që mbledh mbi 3000 aktivistë mjedisorë, liderë të komunitetit, filantropë dhe figura publike nga e gjithë bota, në javën e tokës. Përballë tyre, Guri theksoi nevojën për t´i ofruar botës shpresë edhe me hapat e vegjël që ndërmarrim.

“Suksesi ynë në mbrojtjen e lumit Vjosa është fitorja e parë madhore mjedisore e Shqipërisë dhe tregon se ndryshimi është i mundur, edhe në një botë ku shpesh duket sikur zëri yt nuk dëgjohet. Ky çmim është një kujtesë se kur njerëzit bashkohen, mund ta bëjnë të pamundurën, të mundur”, u shpreh Guri.

Ndërsa Nika bëri thirrje që nën shembullin e Vjosës, të ndërmerren më shumë nisma për mbrojtjen e lumenjve në botë.

“Lumenjtë e egër po zhduken me një ritëm alarmant, pasi gjithnjë e më shumë bllokohen, devijohen ose ndoten. Në këtë kontekst, historia e Vjosës është një model shprese – veçanërisht sepse ndodhi në një vend ku për dekada të tëra çështjet mjedisore nuk kishin asnjë shans. E pranoj këtë çmim me zotimin për të vazhduar punën për mbrojtjen e lumenjve tanë dhe për t’u siguruar që historia e Vjosës të mos përfundojë këtu”, tha Olsi Nika.

Fituesit e tjerë të Goldman Prize 2025 janë: Semia Gharbi nga Tunizia, Batmunkh Luvsandash – Mongoli, Carlos Mallo Molina – Ishujt Kanarie, Laurene Allen – Shtetet e Bashkuara, Mari Luz Canaquiri Murayari nga Peruja.

Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman. Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.

Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme. /Klankosova.tv

Shpërndaje në

U Kopjua