Politologu Shkodran Ramadani ka folur për ato që Qeveria Kurti i konsideron si suksese në veri të vendit.
Ai ka vlerësuar se ajo që shihet si sukses në veri është thjesht një status-quo e paqëndrueshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se Kurti ka arritur marrëveshje e cila serbëve të Kosovës iu jep autonomi territoriale e politike.
“Pak fjalë rreth të vërtetës mbi “suksesin” e Qeverisë Kurti në veri të vendit: Albin Kurti ka arritë marrëveshje e cila serbëve të Kosovës iu jep autonomi territoriale e politike, me qendër në veri të vendit. 1) Draft statuti i vetëm zyrtar që ekziston në tavolinë është një dokument i cili i referohet Rezolutës 1244, duke e riaktualizuar kështu paqartësinë e statusit politik të Kosovës. 2) Draft statuti i vetëm zyrtar që ekziston në tavolinë është një dokument i cili parasheh themelimin e një Arbitrazhi ndërkombëtar që i zgjidh çështjet mes Kosovës dhe Asociacionit. Kjo e përjashton Gjykatën Kushtetuese nga roli i saj si instanca e fundit e rendit juridik në Kosovë. Në vend të saj, është një Arbitrazh i themeluar në Bruksel, nga emisarë si Lajçak e Borrell, që janë autoriteti final për interpretimin e marrëveshjes. Kjo është e kundërta e sovranitetit dhe e konceptit të vetëvendosjes. Me arbitrazh, Kosova nuk është as sovrane, as vetëvendosëse”, ka shkruar ai, duke përmendur veprimet tjera të Qeverisë Kurti.
“3) Qeveria Kurti, ashtu si qeveritë e kaluara, është zotuar se nuk do ta dërgojë FSK-në në Veri të vendit pa koordinim me KFOR-in. 4) Në Marrëveshjen e Bratisllavës, Qeveria Kurti është pajtuar që të mos e dërgojë Njësinë Speciale në veri të vendit. Dikush mund të thotë: “Epo përkundër marrëveshjeve, Qeveria ka vazhdu me i dërgu.” Epo pikërisht ky është problem shtesë sepse mosrespektimi i marrëveshjeve që i ka arritë vet e ka futë Kosovë nën masa e nën sanksione. Ajo që shihet si sukses në veri është thjesht një status-quo e paqëndrueshme në një territor që ka shumicë serbe, të papërfaqësuar politikisht, që po e paraqet veten si viktimë të një qeverie që nuk i respekton marrëveshjet ndërkombëtare, duke e krijuar kështu një përshtypje jashtë Kosovës se ata janë pakicë e përndjekur dhe e shtypur”, ka shkruar ai.