Live

Albulena Haxhiu edhe në Instagram kapet me Prokurorinë, flet edhe rreth padisë ndaj Serbisë për gjenocid

10:26 / 06 Janar 2024

Nga Kosova Live

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fillimin e këtij viti i është përgjigjur ndjekësve të saj në rrjetin social Facebook në pyetjet që kanë dërguar ata për çështje të ndryshme.

Disa nga pyetjet që i janë bërë ministres Haxhiu lidhen me atë se kur do të emërohet kryeprokurori i ri, kur do të paditet Serbia, dhe një tjetër pyetje për punën rreth Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësorë të Kosovës.

E pyetur nëse është e kënaqur më shumë me punën e KPK-së apo KGJK-së, e para e drejtësisë kosovare ka adresuar kritika ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës ku ka thënë se nuk po sheh përpjekje as vullnet për reformim, shkruan Reporteri.net.

“Pra nuk kam besim që mund të bëhen reformat aty pa hyrë në fuqi ligji për KPK-në”, ka kritikuar Haxhiu.

Kurse ka pasur fjalë të mira për Këshillin Gjyqësorë të Kosovës, ku ka thënë se e vlerëson punën dhe angahzimin e tyre tani për tani.

Ministrja Haxhiu është pyetur edhe se kur do të emërohet kryeprokurori i ri, por nuk ka dhënë një përgjigje të prerë.

“Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit janë përgjegjësi e Këshillit Prokurorial. E rëndësishme për ne është që ky proces të jetë transparent dhe meritor dhe jo sikur ka ndodhur në të kaluarën. Kosovës i duhet një kryeprokuror i guximshëm, kompetent dhe me integritet”, ka thënë ministrja Haxhiu, shkruan Reporteri.net.

Një pyetje tjetër që i është adresuar në Instagram minsitres Haxhiu është se kur do të paditet Serbia për krimet e luftës, me ç’rast ka thënë se ky proces është i ndjeshëm dhe nuk mund të japin detaje, përveçse janë duke punuar me ekspert të fushës për këtë çështje, shkruan Reporteri.net.

“Si Ministri e Drejtësisë kemi hartuar ligjin për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës i cili tashmë ka hyrë në fuqi. Me vendim të kryeministrit është zgjedhur edhe drejtori i Institutit. Poashtu jemi në finalizim të Strategjisë për drejtësi tranzicionale sikurse edhe kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.
Procesi i padisë për gjenocid ndaj Serbisë është i rëndësishëm dhe i ndjeshëm dhe prandaj nuk mund të japim detaje në raport me këtë vetëm t’iu njoftoj që jemi duke punuar me ekspert të fushës lidhur me këtë”, ka thënë Haxhiu.

Shpërndaje në

U Kopjua