Live

​Aleanca trepalëshe ushtarake, reagon MPJD: Kosova nuk frikësohet nga kërcënimet e Serbisë

07:47 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër deklaratën e Serbisë lidhur me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Në reagimin e MPJD-së thuhet se kjo deklaratë është agresive e kërcënuese, e po ashtu shkelje e hapur e Marrëveshjeve të Brukselit.

Serbia, ndonëse ka pretenduar se i pranon këto marrëveshje, ka refuzuar të nënshkruajë ato, duke dëshmuar edhe një herë mungesën e vullnetit për të angazhuar në dialog.

“Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe njohjen e institucioneve të saj. Retorika e saj përmban tone hegjemoniste, pasi përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga dy shtete sovrane, anëtare të NATO-s dhe BE-së. Kjo sjellje është e papranueshme dhe shkel Marrëveshjen e Brukselit”, shkruhet në reagimin e MPJD-së.

Tutje, MPJD thekson se përpjekja e Serbisë për t’u paraqitur si “garantuese e paqes në Ballkan” është absurde, duke marrë parasysh historikun e saj të destabilizimit të rajonit.

MPJD gjithashtu kritikon pretendimet e Serbisë për neutralitet, duke i cilësuar ato hipokrite, pasi Beogradi ka lidhje të thelluara me regjime autoritare si Rusia dhe Irani.

“Ndërsa bota demokratike qëndron e bashkuar kundër agresionit, Serbia vazhdon të rreshtohet me vende që punojnë kundër stabilitetit në Evropë”, shkruhet në reagim.

Sipas MPJD-së, Serbia duhet të ndalë retorikën agresive dhe të respektojë marrëveshjet e pranuara, duke hequr dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe duke marrë përgjegjësi për krimet e së kaluarës.

“Serbia duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, për të zbardhur krimet e kryera, veçanërisht nga Brigada e 38-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave në Kosovë. Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe të vërtetë”.

“Republika e Kosovës nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj”, thuhet mes tjerash në postimin e MPJD-së.

Shpërndaje në

U Kopjua