Ambasada gjermane në Kosovë, ka përkrahur protestën e shoqërisë civile të mbajtur sot te kuvendi i Kosovës lidhur me moskonstituimin e këtij institucioni. Nga ambasada është thënë se institucionet funksionale janë gurthemeli i demokracisë.
Në postimin e ambasadës thuhet edhe se ato mbështesin mesazhin e shoqërisë civile ku thuhet se Kosovës i nevojiten institucionet për të gjithë qytetarët.
“Institucionet funksionale janë gurthemeli i demokracisë. Ne e përforcojmë sot mesazhin e fuqishëm nga shoqëria civile: Kosovës i nevojitet një Kuvend funksional, një Kryetar i zgjedhur i Kuvendit dhe një qeveri që vepron – për të gjithë qytetarët e saj’’, thuhet në postimin e ambasadës.
Tutje, përsëritet edhe qëndrimi i ambasadorit Rohde i cili ka deklaruar se vendi duhet të jetë i pari, ndërsa politika partiake e dyta.
Po ashtu, deklarohet edhe se të gjithë deputetët dhe partitë kanë përgjegjësi që të tregojnë udhëheqje.
“Siç ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme ambasadori Rohde: vendi i pari, politika partiake e dyta. Është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë deputetëve dhe partive të zgjedhura që të tregojnë udhëheqje, të angazhohen në dialog të qëllimshëm dhe në kompromis, në frymën e Kushtetutës.”, është thënë në postimin e Ambasadës.
Në fund nga ambasada është kërkuar që të ecet përpara për stabilitet e përparim.
‘‘Mandati demokratik sjell edhe përgjegjësi. Le të ecim përpara – për stabilitet, për përparim dhe për qytetarët’’, thuhet tutje.