Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur dëshirën që SHBA-ja dhe BE-ja të vazhdojnë të punojnë së bashku, ashtu siç kanë bërë deri më tani.
“Natyrisht! Shpresa jonë është të vazhdojmë të punojmë ngushtë siç kemi bërë deri më tani. Më kujtohet koha kur punoja në Maqedoninë e Veriut, ku bashkëpunonim çdo ditë me ambasadorin amerikan”, është shprehur Orav.
Tutje, ai ka theksuar se kur SHBA-ja dhe BE-ja punojnë së bashku, arrihen suksese të mëdha, duke përmendur edhe krijimin e qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut si një shembull konkret.
“Ditët e mia në Kosovë janë shumë të ngarkuara. Kur shkoj në shtëpi, hap telefonin dhe shoh se gjatë muajve të fundit kemi qenë përballë shumë befasive. Nëse e ndiqni çka po ndodh në botë, besoj se nuk do të ketë më surpriza”, ka theksuar ambasadori i BE-së për Klanin.
Në fund, Orav ka shprehur shpresën që BE-ja dhe SHBA-ja të vazhdojnë bashkëpunimin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, por edhe në mbarë botën.