Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Asociated Press” ka raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj Ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për “Sulm” dhe “Kanosje” dhe komplikimet që mund të shkaktojë kjo në formimin e Qeverisë së re në Kosovë.
Në artikullin e Asociated Press thuhet se aktakuza ndaj Damkës mund të jetë tjetër pengesë në përpjekjet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për të formuar një koalicion pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Me dy ulëse në parlamentin e ri, partia e Damkës mund të jetë një aleat i rëndësishëm”, shkruan “Asociated Press”, teksa në artikull theksohet se nëse Damka shpallet fajtor, mund të përballet me një vit burgim.
Aty përmendet edhe se Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, shkaku i ankesave nga partitë politike.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Damkës sot dhe të pandehurit F.D., të cilët ngarkohen për “Sulm” dhe “Kanosje”.
Sipas Prokurorisë, Damka ngarkohet se përdori forcë fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., ditën e zgjedhjeve për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte me këtë të fundit.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç’rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike.
Po ashtu, Damka ngarkohet se seriozisht i kanosi me fjalë të dëmtuarit A.M., dhe M.J., se do t’i privojë nga jeta, duke iu shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri personale.
Me këto veprime, Damka akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me këto veprime, Damka akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.
Vetë Damka e ka quajtur të pabazë aktakuzën e ngritur. Damka tha se ai dhe i akuzuari tjetër janë të pafajshëm dhe se kjo do të dëshmohet në gjykatë.
“Jam jashtë Kosovës, e gjithë aktakuza është pabazë, krejt do të sqarohet në gjykatë. Jemi i pafajshëm dhe kjo do të shihet dhe të dëshmohet në gjykatë”, ka deklaruar Damka.