Live

Arifi: Letrat e Kurtit ishin më shumë fyerje sesa ftesa për dialog

20:00 / 09 Maj 2025

Nga Kosova Live

Avni Arifi, analist politik, ka folur lidhur me situatën e krijuar për shkak të mosvotimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se situata e krijuar është monotone.

“Kur thua njëherë se e votoi apo nuk e votoi dikë, atëherë ti ke vendos, dhe është ditë se Albulenën, më së largu herës së parë apo së dytë, nuk e votojnë”.

“Në mungesë të dialogut politik, partia fituese nuk po e merr përgjegjësinë për krijimin e institucioneve. Përgjegjësia i bie partisë fituese”, ka thënë ai në Dukagjin

Arifi tutje ka thënë se Vetëvendosje i ka 48 opsione për t’i ofruar që të dilet nga situata e krijuar, duke thënë se partitë opozitare janë të hapura.

“Të paktën dy apo tri parti opozitare janë të hapura që të diskutojnë për një kandidat më të përshtatshëm, që do ta votonin potencialisht”.

“Problemi më i madh është që nuk ka as dialog. Partia fituese apo kryetari i saj nuk ka asnjë iniciativë për zhbllokimin e situatave”, ka thënë Arifi, duke shtuar se kemi parë disa letra të tij [Kurtit], të cilat ai i ka quajtur se nuk ishin ftesa por fyerje.

“Nëse e bën një analizë të thjeshtë, e sheh se ato ishin më shumë fyerje sesa ftesa… fyerje për LDK-në, fyerje për PDK-në, sepse në start, kur i thua që ‘eja të bisedojmë për nënkryetarët e Kuvendit’, e dihet se ajo nuk është temë fare, është fyerje. Kur i thua LDK-së që ‘unë kam qenë kundër atyre të tjerëve në LDK, por unë jam me ty, Lumir, dhe unë nuk shkoj në koalicion me PDK-në’, është një tendencë me kontaktu elektoratin e LDK-së, jo kryetarin e LDK-së. Pra, ne nuk kemi parë një ftesë apo një interesim të sinqertë nga partia fituese, e cila nuk e ka shumicën parlamentare, për të diskutuar e debatuar se si të dilet nga kjo situatë”, ka thënë Arifi.

Shpërndaje në

U Kopjua