Live

Arrestimi i bujshëm i Hysri Selimit i dyshuar për spiunazh, dalin detajet nga e kaluara me ISIS-in

14:11 / 06 Maj 2025

Nga Kosova Live

Hysri Selimi, një emër i njohur për autoritetet kosovare për përfshirjen e tij të mëhershme në aktivitete terroriste, është arrestuar sot nën dyshimin për kryerjen e spiunazhit.

Arrestimi i Selimit është rezultat i një hetimi të gjerë dhe të thelluar nga Prokuroria Speciale, që përfshinte edhe masa të veçanta hetimore të zbatuara për disa muaj.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë këtij operacioni janë bastisur dy lokacione në territorin e Kosovës, me urdhër të gjykatës kompetente.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale që lidhen me aktivitetet e dyshuara, përfshirë pajisje të komunikimit elektronik, të cilat mund të jenë përdorur për transmetim të informatave konfidenciale.

Selimi është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të zbuluar ndonjë përfshirje të mundshme të palëve të tjera.

Emri i Hysri Selimit nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton Paparaci, transmeton Klankosova.tv.

Më datë 23.11.2015 me përgatitje paraprake së bashku me familjen kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me destinacion Sirinë, për t’iu bashkëngjitur ISIS-it.

Sipas aktakuzës së ngritur në atë kohë nga Prokuroria, Selimi ishte i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it, për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë, me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Ai u riatdhesua në Kosovë më 28 maj 2022, ku më pas u përball me proces gjyqësor për çka edhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 8 muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.08.2018.

“I akuzuari me datë 23.11.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte  lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që ti bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 Dollar Amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.05.2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës”, njoftonte Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2022.

Tashmë, vetëm pak vite pas kthimit të tij nga zonat e konfliktit, Hysri Selimi përballet me akuza të reja dhe të rënda, këtë herë për spiunazh.

Shpërndaje në

U Kopjua