Janë arrestuar dhe ndaluar nënkoloneli Nexhat Gutiq dhe kapiteni policor Prek Tuna, të cilët u suspenduan dje nga IPK-ja.
Prokurorja nga Krimet e Rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, për Klankosova.tv tha se pas pranimit të informatave ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave të cilët mund të kenë qenë të inkrimunuar në elemente të veprave penale.
“Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, dy zyrtarë policorë, pas intervistimit si të dyshuar për kryerje të veprave penale, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar fillimisht për 48 orë”, tha Disha-Haxhosaj për Klankosova.tv.
Tutje, ajo u shpreh se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
“Prokuroria Themelore e Pejës, njëkohësisht do t’i ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore për këtë çështje penale deri në ndriçimin e plotë të saj”, tha prokurorja Disha-Haxhosaj.
Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për këtë rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje “për prishje të rendit dhe qetësisë publike”.