Një raport auditimi i përgatitur nga auditori i pavarur që është përzgjedhur nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të këtij subjekti politik për vitin 2024, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish që prekin transparencën financiare dhe zbatimin e rregullave të brendshme të kontrollit, raporton Koha.net.
Auditori ka shqyrtuar “Pasqyrën e Pozitës Financiare” si dhe “Pasqyrën e të Hyrave dhe Shpenzimeve” për periudhën përkatëse. Sipas raportit, me përjashtim të çështjeve të theksuara në seksionin për opinionin e kualifikuar, të gjeturat pasqyrojnë drejt gjendjen financiare të subjektit në përputhje me ligjin për financimin e subjekteve politike.
Çështjet kryesore që çuan në opinion të kualifikuar (që realizohet kur identifikohen probleme në pasqyrat financiare v.j.), sipas auditorit:
Mungesë dokumentacioni pronësie dhe qiraje për selinë qendrore – Një pjesë e objektit të selisë së LDK-së përdoret pa kontrata valide ose fletë poseduese, gjë që, sipas auditorit, kufizon aftësinë për të verifikuar ekzistencën dhe saktësinë e pasurive të regjistruara.
Mungesë transparence në blerje dhe tenderim – Subjekti politik nuk ka zbatuar procedura të formalizuara të tenderimit për shpenzimet dhe blerjet, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve dhe për mungesë transparence.
Moszbatim i kontrollit të brendshëm financiar – Sipas raportit, LDK-ja nuk ka ushtruar asnjë kontroll të brendshëm gjatë vitit 2024, ndonëse kjo është kërkesë e përcaktuar nga ligji dhe statuti i subjektit politik. Komisioni mbikëqyrës nuk ka ofruar asnjë raport të punës për këtë periudhë.
Mungesë dokumentacioni për tetë zyra të tjera në Kosovë – Për zyrat që funksionojnë jashtë selisë qendrore, mungon dokumentacioni që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit, duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të mundshëm të fondeve.
Përgjegjësitë e menaxhmentit dhe të auditorëve
Auditori thekson se menaxhmenti i LDK-së është përgjegjës për përgatitjen e saktë të pasqyrave financiare dhe për zbatimin e kontrolleve të brendshme që garantojnë raportim të drejtë financiar.
Auditori ka thënë se për këtë raport ka zbatuar Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) dhe kanë mbledhur evidencë të mjaftueshme për të nxjerrë një opinion të kualifikuar, duke theksuar se çështjet e ngritura janë me ndikim të rëndësishëm në paraqitjen e drejtë të gjendjes financiare.
Raporti nënvizon nevojën për masa urgjente nga Kryesia e LDK-së për të përmirësuar sistemin e kontrollit të brendshëm, dokumentimin e pronës, dhe procedurat për menaxhimin e fondeve publike në përputhje me ligjin.
“Mospërmirësimi i këtyre çështjeve rrezikon jo vetëm besueshmërinë financiare të partisë, por edhe pajtueshmërinë me ligjin për financimin e subjekteve politike”, thuhet ndër të tjera në raport.