Në nëntor të këtij viti bëhen pesë vite që kur ish-drejtuesit e UÇK-së, ndodhen në paraburgim në Hagë.
Ky proces, nga njohës të çështjeve juridike është kritikuar për vonesa dhe zvarritje të panevojshme.
Avokati, Ardian Bajraktari ka thënë për IndeksOnline, se procesi gjyëqësor në Dhomat e Specializuara, tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme, ku vjen në shprehje angazhimi dhe pro-aktiviteti i palës mbrojtëse.
“Dinamika dhe ecuria e procesit varen nga vendim marrja e trupit gjykues për sa i përket mocionit të palës mbrojtëse në lidhje me rrëzimin e pikave të aktakuzës. Natyrisht se mbi bazën e asaj që kemi parë, rrëzimi i aktakuzës në këtë stad të procedurës, do të ishte epilog real i këtij procesi, por jam skeptik për një gjë të tillë”, ka thënë Bajraktari.
Më tutje, ai thotë se në varësi prej vendimit të trupit gjykues, do kalohet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të zyrës për mbrojtjen e viktimave si dhe të palës mbrojtëse, të cilët kanë paralajmëruar se do jenë rreth 25, me mundësi të rishikimit të kësaj liste.
“Andaj, në varësi të këtyre rrethanave, do të mund të kemi një epilog nga pjesa e parë e vitit të ardhshëm, e cila natyrisht se dëshmon që kemi shkelje ndër të tjera edhe të parimit të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme, e deri tek kjo ka ardhur ngase prokuroria nuk ka qenë e përgatitur dhe se procesi ishte i parakohshëm”, ka përfunduar ai.