Live

Avokati: Viktima e dëshmitarë të rrejshëm kundër Thaçit dhe të tjerëve janë siguruar nga Serbia

09:57 / 02 Maj 2023

Nga Kosova Live

Gjykata e Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale ka larguar dje 20 viktima nga procesi i gjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Avokati ka thënë se pothuajse shumica e provave në Hagë janë siguruar nga autoritetet e Serbisë.

“Ka viktima të rrejshme, dëshmitarë dhe prova të rrejshme. Pothuajse shumica e provave janë prova të siguruara nga autoritetet e Serbisë. Nuk pritet që Serbia të dërgojë material që shkon në favor të UÇK-së”.

“Tash mund të ketë dëshmitarë dhe palë të dëmtuara që do të vërtetohet se nuk janë palë të dëmtuara, do të ketë edhe dëshmitarë që gjatë dhënies së dëshmive janë dhënë në lajthim. Është krejt e natyrshme”, tha ai në Klan Kosova.

Sipas tij, tashmë është vërtetuar se personat në fjalë nuk kanë qenë fare viktima të kësaj aktakuze.

“Çdo kallëzim penal i rrejshëm është vepër penale. Tani duhet të bëhet kallëzim penal dhe të ngrihet aktakuzë ndaj tyre”.

“Gjykata nuk ka arsye që këta t’i mbajë fshehtë, mund t’i bëjë publike emrat e tyre nëse e sheh të nevojshme që të njoftohet opinionin publik”.

Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por, jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua