Live

“Axha e detyroi gjyshin të nënshkruajë me zor” – plas sherri në Pejë mes vëllezërve për tokë (VIDEO)

20:00 / 21 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Mosndarja e barabartë e trashëgimisë për djemtë para se të vdiste kryeplaku i shtëpisë, u bë mollë sherri për familjen Mehmeti nga Peja.

Si shkak i kësaj, Fabiani 24 vjeçar thotë se ka mbetur në rrugë, ani pse e ka shtëpinë, raporton Kiks Kosova.

Pak vjet para se gjyshi Shaban Mehmeti të vdiste, djali i tij, respektivisht axha i Fabianit, Gazmendi e kishte detyruar babanë (Shabanin) që krejt pasurinë ta kalonte mbi të.

Kështu thonë Fabiani e axha tjetër, Lulëzimi. Prandaj, këtë çështje e kanë dërguar edhe në gjykatë.

Lulëzim Mehmeti përmes telefonit i tha Kiksit se prona ka masë të sigurisë, për shkak të dallavereve për të cilat thotë se Gazmendi, vëllai i tij, i bëri përmes një noteri në Pejë në atë kohë.

Kiks Kosova ka kontaktuar edhe me Gazmendin, vëllain tjetër, ndaj të cilit Lulëzimi e nipi i tij, Fabiani, hedhin akuza se ua mori trashëgiminë pa të drejtë e me dallavere.

Gazmend Mehmeti i ka mohuar akuzat e Fabianit dhe vëllait të tij Lulëzimit, duke theksuar se nuk ka asnjë interes për këtë çështje. Me një ton jo shumë të qetë të zërit, Gazmendi na rekomandoi që të shkojmë në Gjykatë a në Polici.

Si përfundim, Gazmend Mehmeti zgjodhi që t’ia mbyllte telefonin gazetares së emisionit, duke mos e dhënë as edhe një deklaratë. Madje, as duke i demantuar akuzat e vëllait e nipit.

Shpërndaje në

U Kopjua