Deputetja e sapo betuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se partia e saj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të mbahet të shtunën.
Pavarësisht kritikave për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Bajrami tha se LDK do të jetë e pranishme në takim.
“LDK do të marrë pjesë nesër në takim, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga VV,” deklaroi ajo. Ajo rikujtoi se vetë Kurti nuk kishte marrë pjesë në takimin konsultativ të mbajtur pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.
“Kurti nuk e mori mundin të marrë pjesë në takimin konsultativ me liderët e partive. Kjo flet shumë për gatishmërinë e tij për bashkëpunim,” theksoi Bajrami.