Presidenti i partisë së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar”, Jordan Bardella, ka ftuar francezët të mblidhen këtë fundjavë për të protestuar kundër ndalimit të udhëheqëses së partisë, Marine Le Pen, që të kandidojë për poste publike për pesë vitet e ardhshme. Thirrja ka ardhur pas vendimit të një gjykate në Paris, e cila shpalli Le Penin fajtore për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian për financimin e partisë së saj.
Le Pen u dënua me ndalim të kandidaturës për poste publike për pesë vjet, si dhe me katër vjet burg dhe 100 mijë euro gjobë. Megjithatë, dënimi me burg dhe gjoba nuk do të kenë efekt derisa të përfundojnë apelimet që Le Peni mund të paraqesë.
Ky vendim është një goditje e madhe për Le Penin, një nga figurat më të njohura të politikës franceze, e cila ka qenë për një kohë të gjatë udhëheqëse e “Tubimit Kombëtar” dhe ka udhëhequr sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Përmes një deklarate për radion Europe 1 dhe televizionin Cnews, Bardella ka shprehur shqetësimin e tij: “Besoj se sot francezët duhet të jenë të indinjuar dhe unë u them: Jini të indinjuar”, duke shtuar se partia do të organizojë protesta paqësore dhe demokratike këtë fundjavë.
Pas shpalljes së dënimit, mediat kanë spekuluar për mundësinë që Bardella të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2027, por Le Pen ka theksuar se do të apelojë vendimin dhe nuk do të lejojë që të eliminohet nga gara presidenciale në këtë mënyrë.
Le Pen, e cila ka garuar tri herë për postin e presidentit, ka bërë të qartë se zgjedhjet e vitit 2027 do të jenë të fundit ku do të paraqesë kandidaturën e saj.