Live

Barnatorja e shiti për 3 muaj barin pa afat, e largoi nga tregu vetëm 1 javë më parë (VIDEO)

20:19 / 26 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Gati tre muaj me radhë, barnatorja “T-Pharm” dyshohet se shiti një lloj të barnave, me afat të skaduar.

Ampulat “Nimedine” të cilave u kishte skaduar afati në prill të këtij viti, kjo barnatore i largoi nga tregu tek javën e kaluar.

Kështu ia konfirmoi Kiks Kosovës farmacistja e kësaj barnatoreje, kur emisioni u interesua për të blerë këtë ilaç.

Ajo i tha gazetares se këtij produkti mjekësor i kishte skaduar afati gjatë këtij muaji, prandaj janë detyruar që ta largojnë nga stoku dhe momentalisht kanë mungesë të këtij ilaçi.

Por, kështu nuk thonë faktet. Në paketimin e këtij ilaçi të cilin e bleu të premten e 20 qershorit, Nazmi Berisha nga Prugovci i Prishtinës, figuron që këtyre barnave të cilat kushtojnë 7.5 euro, afati u kishte skaduar qysh në muajin prill, gati tre muaj më parë.

Emisioni ka provuar që të kontaktojë me pronarin e barnatores, por numri publik i cili gjendet në faqen e Facebook-ut, rezultonte inekzistent.

Pyetjet të cilat i kishte për T-pharm, Kiksi i nisi edhe në e-mailin e farmacisë, por deri në momentin e transmetimit të kësaj kronike, nuk ka pranuar përgjigje.

Kiks Kosova ka kontaktuar me Inspektoratin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se kur ka qenë hera e fundit që është inspektuar kjo barnatore, por nga ky institiucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Inspektorati nuk ia dërgoi emisionit as të dhënat se sa inspektime janë kryer gjatë dy viteve të fundit në të gjitha barnatoret e vendet dhe as sa është numri i gjobave të shqiptuara gjatë kësaj periudhe.

Sipas Ligjit të ndryshuar dhe të plotësuar për Produkte dhe Pajisje Medicinale, inspektorati farmaceutik dënon me gjobë nga 500 deri në 20 mijë euro barnatoren e cila refuzon pranimin e produkteve të papërdorshme medicinale të blera në atë barnatore që dorëzohen nga blerësi.

Shpërndaje në

U Kopjua