Live

Bastisen disa OJQ në Serbi që bashkëpunuan me USAID-in

11:49 / 25 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Pas akuzave të drejtorit të FBI-së për abuzime me fondet e  USAID-it, prokuroria e Beogradit po heton disa organizata joqeveritare.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka njoftuar se ka hapur një rast në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi, raportojnë mediat atje.

Prokuroria serbe konfirmoi se të martën e 25 shkurtit policia ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Iniciativave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Për të verifikuar akuzat dhe për të grumbulluar prova në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të USAID-it, për keqpërdorim të fondeve dhe për shpëlarje të mundshme parash, Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i ka kërkuar Policisë të mbledhë informatat e nevojshme”, ka thënë kryeprokurori Publik, Nenad Shtefanoviq.

Ai ka shtuar se “tani për tani” është urdhëruar nxjerrja e të gjitha dokumenteve në lidhje me donacionet e USAID-it nga katër OJQ-të, si dhe marrja në pyetje e personave përgjegjës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kufizuar punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të saj, më 24 janar.

Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.

Shpërndaje në

U Kopjua