Bashkimi Evropian ka konfirmuar sot se ka pezulluar tarifat e reja të planifikuara ndaj Shteteve të Bashkuara për një periudhë 90-ditore, me qëllim që t’i hapet rrugë negociatave me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një deklaratë për gazetarët në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Olof Gill, tha: “Ne duam të negociojmë, duam të flasim” për çështjen e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan, e që aktualisht janë pezulluar.
“Ne nuk do të ofrojmë ndonjë detaj më të madh në këtë pikë për atë që nuk po u themi amerikanëve përtej asaj që kemi thënë tashmë. Ne duam të negociojmë, duam të flasim”.
“Ne vlerësojmë që ju keni pauzuar në të ashtuquajturat tarifa reciproke dhe ne, nga ana tjetër, po ndalojmë tani kundërmasat tona të propozuara, në mënyrë që të kemi hapësirën maksimale për t’u konsultuar me shtetet tona anëtare, për t’u konsultuar me industrinë tonë dhe për të negociuar me SHBA-në”.
“Ne jemi gati të bëjmë marrëveshje”, theksoi Gill, sipas raportimit të The Guardian.
Ky zhvillim vjen një ditë pas vendimit të presidentit Trump për të pezulluar për 90 ditë tarifat ndaj vendeve që nuk ishin hakmarrë ndaj valës së parë të masave tregtare amerikane, duke i reduktuar ato në 10 për qind.