Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm në OKB.
Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, presidenti Begaj, ka marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ky samit, i dyti që nga miratimi i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, vlerësohet si një moment kyç për të risjellë në qendër të vëmendjes së shteteve dhe qeverive nevojën për trajtimin me përparësi të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe avancimin e Agjendës 2030, pas ndikimit të pandemisë, agresionit rus kundër Ukrainës dhe një sërë faktorësh të tjerë, që ndikuan në ngadalësimin e këtij procesi.
Begaj, ka mbajtur një fjalim në emër të Shqipërisë, në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve”, teksa u shpreh se “zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti”.
Më tutje, presidenti i Shqipërisë u ndal në hapat e ndërmarra në kontekstin e zbatimit të OZHQ-ve, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ-ve, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ-ve, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga nga aktorë e partnerë joqeveritarë.
Presidenti Begaj ka thënë se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Agjendës 2030.
“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, ka thënë ai.