Bekim Jashari e ka kujtuar babin e tij, Hamzën, i cili po të ishte gjallë do të mbushte sot 75-vjet.
Ai ka shkruar se këtë vit, Hamëza mbushi një vit më shumë se sa kishte “baba Shaban kur ra heroikisht”.
Postimi i plotë:
Këtë vit, babushi Hamëza mbushi një vit më shumë se sa kishte baba Shaban kur ra heroikisht.
Baba Shaban tashmë ka kaluar 100 vjetorin e lindjes dhe mes tyre kishin 26 vite diferencë.
Por më shumë se vitet, ata i bashkonte ideali, dashuria për atdheun dhe vendosmëria për liri.
Ne, fëmijët e tij dhe të gjithë familjes, nuk mund ta harrojmë kurrë se sa i dashur dhe i afërt ishte me ne.
Ai ishte luftëtar, por edhe artist në shpirt.
Jetonte me këngën e atdheut në zemër dhe me artin në shpirt.
E kishte idol Çerçiz Topullin dhe skena e jetës së tij u mbush me akte heroizmi që nuk harrohen kurrë.
Ishte aq i lidhur me fëmijët, saqë edhe më të vegjlit e familjes nuk pranuan ta linin vetëm në luftën e 5, 6 dhe 7 marsit.
Ai nuk ishte vetëm një prind, por një mburojë, një dritë që i udhëhoqi të gjithë të rënët deri në fund.
Dashurinë dhe përkushtimin për atdhe e kishte marrë nga baba Shaban, me të cilin nuk u nda kurrë, as në jetë, as në vdekje.
Së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari, ishin betuar para varrit të Tahir Mehës se do të luftonin deri në vetëflijim për Kosovën, ashtu edhe siç ndodhi.
Kanë kaluar gati 27 vite nga Epopeja e UÇK-së, por ende e kam të fresket bisedën e fundit që pata me të në telefon, pas betejës së Qirezit dhe Likoshanit.
E pyeta si qëndronin me armatim, dhe ai mu përgjigj:
“Sa do të mund të qëndrojmë, nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë.
Por një gjë po ta them:
Qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta…
Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”
I tillë ishte babushi, largpamës, i vendosur dhe i pathyeshëm deri në frymën e fundit për Kosovën.
Babush, urime ditëlindjen e 75-të!
Ne jetojmë me kujtimet më të bukura, me lavdinë dhe heroizmin tënd!