Kryetari i Partisë Demokratike dhe i koalicionit “Aleanca Shqipëria Madhështore”, Sali Berisha, ka prezantuar sot në Kuvendin Kombëtar të PD-së një projekt që sipas tij synon të transformojë realitetin shqiptar për periudhën 2025-2029.
Duke e quajtur këtë plan si “projekti më i mirë që Shqipëria ka pasur në 34 vite”, Berisha tha se nuk bëhet fjalë për një program elektoral të zakonshëm, por për një vizion të ndërtuar me përkushtim dhe profesionalizëm ndër vite. “Nuk është një plan që lindi për fushatë, as një kopje nga diku tjetër, por një përpjekje trevjeçare për të ndërtuar një alternativë të madhe për Shqipërinë,” – theksoi ai.
Në fjalimin e tij, lideri demokrat nënvizoi se kthimi i tij në skenën politike nuk është për pushtet apo privilegje, por për të mbrojtur dinjitetin dhe për të përmbushur një sfidë që tejkalon të gjitha fazat e mëparshme të qeverisjes së tij. “Nëse pluralizmi ishte arritja e parë dhe anëtarësimi në NATO arritja e dytë, projekti i tretë do t’i tejkalojë të dyja me përmasën e tij shoqërore dhe ekonomike”, u shpreh Berisha.
Ai vuri theksin në sfidat e rënda që përballon vendi: pabarazia ekonomike, rrënimi i arsimit, krizat në sistemin shëndetësor dhe një eksod masiv i të rinjve. “45% e shqiptarëve kanë ikur. 84% e atyre që kanë mbetur, duan të ikin”, paralajmëroi Berisha, duke shtuar se vendi ndodhet në një situatë dramatike pas “12 viteve të narkodiktaturës”, shkruan Express.
“Me mbështetjen e këtyre institucioneve, ne e kemi kthyer vizionin tonë në një plan konkret, të zbatueshëm brenda 4 viteve të para të qeverisjes. Për 29 ditë, Shqipëria do të zgjedhë të ardhmen,” – përfundoi Berisha.
Në aktivitetin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të Kuvendit Kombëtar me moton “Shqipëria Madhështore” Belind Këlliçi, i cili e cilësoi programin si “ambicioz dhe transformues për jetën e qytetarëve shqiptarë”.
Sipas Këlliçit, prioritet i parë i PD-së do të “jetë vendosja e një minimumi jetik prej 200 eurosh në muaj, ndërkohë që do të garantohet paga minimale prej 500 eurosh dhe paga mesatare prej 1200 eurosh.” Gjithashtu, PD angazhohet për “uljen e çmimit të energjisë në 7 lekë për kw/h dhe për krijimin e një modeli të ri shëndetësor me barna të rimbursuara”.
“Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe do të vendosim në qendër të vëmendjes rininë shqiptare për të frenuar fenomenin e largimeve masive,” – tha Këlliçi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tha: “Kur menduan se na asgjësuan, ne u ringritëm. Sot prezantojmë një program të vërtetë që adreson hallet e qytetarëve”, deklaroi Noka.
Këshilltari amerikan dhe drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita, u shpreh se “një fitore për Berishën është një fitore për çdo familje shqiptare”.