Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka zyrtarizuar Besnik Krasniqin, si kandidat për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.
Në një postim në Facebook, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Krasniqi është një profesionist i dëshmuar me përvojë të gjerë në sektorin publik dhe atë ndërkombëtar, i cili ka ndërtuar karrierën e tij mbi parimet e përgjegjësisë, transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
“Ai përfaqëson një zgjidhje të denjë për qytetarët e Prizrenit, në kohën kur ky qytet ka nevojë për një udhëheqje vizionare dhe të përgjegjshme”, pohoi Haradinaj.
“Prizreni meriton një epokë të re zhvillimi, përmes projekteve strategjike në sferën ekonomike, kulturore dhe në fuqizimin e trashëgimisë e ngjarjeve artistike që i japin identitet këtij qyteti”, theksoi Haradinaj.
I pari i AAK-së shtoi se beson në vizionin e Krasniqit dhe në përkushtimin e kandidatëve të AAK-së për asamblenë komunale në Prizren.