Analisti, Blerim Latifi ka thënë që të rinjtë nuk e din historinë e masakrave në Kosovë ndërsa brengosen për viktimat në Gaza.
Ai në Facebook tha që është një gjeneratë që nuk i dinë dhimbjet e popullit, dhe se varret e dëshmorëve janë vetëm memoriale që nuk janë vizituar.
Postimi i plotë:
I kam testuar personalisht në disa raste njerëz që derdhin lotë në Instagram e Facebook për viktimat në Gaza. I kam pyetur nëse mund të më tregojnë se kur ka ndodhur Masakra e Obrisë, Masakra e Mejës, Masakra e Vërbocit e të tjera, dhe sa shqiptarë janë vrarë në to.
Asnjëri nuk ka ditur të më japë një përgjigje të saktë.
Çfarë tregon kjo?
Tregon faktin se kemi të bëjmë me një gjeneratë – kryesisht të rinj – për të cilën vuajtjet dhe dhimbjet e popullit të tyre nuk kanë asnjë vlerë.
Një gjeneratë për të cilën varret e dëshmorëve dhe të masakruarve tanë, të para 26 viteve, janë thjesht memoriale të parëndësishme, të cilat as nuk e dijnë se ku janë. Sepse kurrë nuk i kanë vizituar.
Një gjeneratë që ndjeshmërinë për Gazën nuk e ka prej ndonjë bindjeje humaniste universale, por prej infektimit me antisemitizëm, me salafizëm dhe me lleftizëm të tipit sovjetik ose jugosllav.
Sepse nuk mund të jetë ndryshe kur sheh se këta vajtues virtualë nuk shkruajnë kurrë asnjë fjalë për vuajtjet e kurdëve, të ujgurëve në Kinë apo të grave që masakrohen në burgjet e Iranit, vetëm pse kërkojnë të jenë të lira.
Edhe një gjë: prej një brezi që nuk di asgjë për historinë e vendit të vet, për vuajtjet e dhimbjet e saj, kurrë mos prisni punë e sakrifica në shërbim të lirisë. Prej tij veç një gjë keni të sigurt: dezertimin dhe ikjen. Dhe natyrisht edhe broçkulla të pacifizmit abstrakt për të justifikuar qyqarllëkun dhe tradhtinë e tij.