Live

Caktohen gjyqtarët për xhiron e 32-të në Superligë – ja kush do të gjykojë ndeshjet e fundjavës

16:38 / 30 Prill 2025

Nga Kosova Live

Superliga e Kosovës në futboll po i afrohet fundit të sezonit, ndërsa këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 32-të. Të mërkurën është hedhur shorti për caktimin e zyrtarëve për pesë ndeshjet që do të luhen nga e premtja deri të dielën.

Xhiroja hapet të premten me duelin mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit, që nis nga ora 15:00. Për këtë takim, gjyqtar kryesor është caktuar Bardh Ajeti, ndërsa do të asistohet nga Edmond Zeqiri dhe Faton Jakupi. Lirim Jashari do të jetë gjyqtari i katërt.

Të shtunën do të zhvillohen dy sfida. Malisheva do të përballet me Dukagjinin nga ora 15:00, me Alban Shalën si gjyqtar kryesor. Në këtë takim, ndihmës të tij do të jenë Lumturie Muhadri dhe Meriton Berisha, ndërsa gjyqtari i katërt është caktuar Vigan Iberdemaj.

Po të shtunën, nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit. Kjo përballje i është besuar Dardan Çakës, i cili do të ndihmohet nga Drilon Rexhepi dhe Bajram Kabashi, ndërsa Erdall Zasella do të jetë i katërti.

Të dielën luhen dy duelet e fundit të kësaj jave. Drita do të jetë nikoqire e Llapit nga ora 15:00, me Mervan Bejtullahun si gjyqtar kryesor. Atij do t’i asistojnë Altin Zhegrova dhe Gzim Mehmeti, kurse Burim Jahmurataj është caktuar i katërt.

Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, në Suharekë takohen Suhareka dhe Ferizaj, ku drejtësinë do ta ndajë Mentor Ajeti. Ai do të ketë përkrahje nga asistentët Alban Ejupi dhe Hekuran Osmani, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Eridon Podvorica.

Shpërndaje në

U Kopjua