Sekretari për Punë të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron, sot ka viztuar edhe trupat britanike që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Cameron për Reuters ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se ajo që ka ndodhur në veri është mjaft shqetësuese dhe se duhet bërë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar që diçka e tillë të përsëritet dhe që të luftohet nëse diçka e tillë do të ndodh përsëri.
Kryediplomati britanik ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur që ka nevojë për stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Mbretëria e Bashkuar po e ndihmon me të gjitha këto.
Ai ka thënë se ndalimii atyre që cënojnë sigurinë e Ballkanit dhe krijojnë probleme në rajon është në interesin direkt kombëtar të britanikëve.
“Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri. Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe Britania po ndihmon me të gjitha këto dhe është e drejtë që ne e bëjmë. Stabiliteti në Ballkan dhe siguria në Ballkan, dhe ndalimi i atyre që dëshirojnë të shkaktojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme është në interesin direkt kombëtar të Britanisë dhe prandaj jam këtu, për të falendëruar trupat tona për punën që bëjnë dhe për të punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmua ata me agjendën e tyre duke njohur faktin se ata janë një shtet sovran që meritojnë mbështetjen tonë derisa ata përpiqen për siguri dhe sukses”, ka thënë Cameron.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.