Live

Cilin emër do ta pranonin për kryeparlamentare dhe a sheh rrugëdalje te presidentja? – Haradinaj pati një përgjigje (VIDEO)

08:02 / 14 Maj 2025

Nga Kosova Live

Pse emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare është i papranueshëm për partitë opozitare, kë e sheh Daut Haradinaj si zgjidhje më të pranueshme nga Vetëvendosje dhe a ka shpresë që bllokada institucionale të zgjidhet përmes takimit të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani?

Për këto çështje, deputeti i betuar i AAK-së Daut Haradinaj ka folur mbrëmë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Haradinaj, deklaroi se kryeministri i dorëhequr Albin Kurti, duhet ta pranojë se nuk e ka shumicën për të formuar institucionet dhe të kërkojë ndihmë nga subjektet e tjera politike, njofton Klankosova.tv.

I njëjti kritikoi qasjen e Kurtit, duke thënë se në vend të ngulmimit për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, VV duhet të propozojë emra më të pranueshëm për opozitën, si Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi.

“Oferta ka qenë shumë e sinqertë, që nëse zgjidhet Bogujevci ose Selimi, vota ime është për. Nëse Albin Kurtit i duket më e rëndësishme Albulena Haxhiu sesa Kosova, Parlamenti apo Qeveria, le të vazhdojë kështu”, ka thënë Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.

Ai e përjashtoi mundësinë që VV të zvarrit procesin pafundësisht pa dialog: “Ky zotëria duhet të kuptojë se mazhoranca nuk është vetëm për qeverinë, por edhe për krijimin e institucioneve. Nëse nuk e ka, le të kërkojë ndihmë”.

Ndërkohë, Haradinaj komentoi edhe takimin e paralajmëruar të liderëve politikë me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se, edhe pse juridikisht ajo nuk ka rol në këtë proces, prania e saj mund të ndihmojë në lehtësimin e një zgjidhjeje politike.

“Partitë tashmë kanë një ftesë në tavolinë nga presidentja. Besoj se nëse ka vullnet politik, zgjidhja do të dalë pikërisht nga ai takim”, është shprehur Haradinaj.

Ndiqni deklarimet e plota, në videon e mëposhtme:

Shpërndaje në

U Kopjua