Live

Clinton merr çmimin “Paqebërësi i Shekullit”, Osmani: Ai është arsyeja se pse në Kosovë kemi gjeneratën e parë që po rritet pa luftë

10:50 / 19 Mars 2025

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani lexoi një “Laudatio” për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili u nderua mbrëmë me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum” në Berlin të Gjermanisë.

Ajo tha se Clinton është arsyeja pse sot në Kosovë, për herë të parë në historinë e saj një gjeneratë rritet pa luftë.

“Gjenerata e parë në historinë e ekzistencës së kombit tonë, gjenerata e parë e fëmijëve të Kosovës që mund të shkojnë në shtrat pa dëgjuar zhurmën e armëve dhe të shtënave, gjenerata e parë që ka mundësinë të shkojë në shkollë lirisht, generata e parë që mund të flasë gjuhën e vet lirisht, generata e parë që e sheh prindin të shkojë në punë pa pasur frikë se do të arrestohet apo vritet, generata e parë që nuk ka shkuar asnjëherë refugjat, që ka jetuar vetëm në demokraci, dhe generata e parë e fëmijëve në historinë e kombit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe kanë jetuar vetëm në paqe. Dhe ka një arsye për këtë arritje historike. Është arsyeja që na ka bashkuar të gjithë për të nderuar Presidentin Bill Clinton”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh thellësisht e nderuar që po merrte pjesë në këtë ngjarje për Clintonin, për të cilin tha se “ka lënë trashëgiminë e tij jo vetëm në histori, por thellësisht të gdhendur në jetët e miliona njerëzve në mbarë botën”.

Ajo tregoi pak nga historia e saj personale gjatë luftës në Kosovë.

“26 vjet më parë, në mars të vitit 1999, unë isha duke u fshehur në malet e atdheut tim ndërkohë që familja ime kërkonte strehim nga kufijtë e regjimit të Millosheviqit pasi u dëbuam me forcë nga shtëpia jonë. E mbaj mend që dëgjoja një radio të vogël bashkë me fëmijë dhe të rinj të tjerë, duke dëgjuar fjalimet e Presidentit Clinton, duke shpresuar se udhëheqja e tij do ta ndryshonte rrjedhën e vendit tonë. Atëherë, nëse dikush do të më kishte thënë se unë do të isha duke qëndruar këtu sot në emër të popullit të një Republike të Kosovës të lirë, të pavarur dhe sovrane, duke bërë këtë homazh për burrin që u bë shpëtimtari ynë, do ta kisha menduar një ëndërr të pamundur. Por, ja ku jemi sot, e nderuar dhe e përulur, me një ndjenjë të madhe mirënjohjeje, duke thënë faleminderit. Faleminderit, zoti President, në emër të çdo shpirti në vendin tim, nga çdo shtëpi dhe çdo zemër në gjithë Kosovën”, tha Osmani.

Për popullin e Kosovës, Osmani tha se “Presidenti Clinton dhe Sekretarja Clinton janë më shumë se aleatë”.

“Ata janë simbole të lirisë sonë. Presidenti Clinton qëndron si një dritë shprese, sepse kur populli ynë u përball me tmerrin e gjenocidit, ai zgjodhi të mos kthehej pas. Ai udhëhoqi me bindje, bashkoi botën e lirë për ta ndaluar një plan të vazhdueshëm për të na zhdukur nga faqja e dheut. Kjo është arsyeja pse nderimi i Presidentit Clinton është jo vetëm një testament për udhëheqjen e tij të shquar dhe përpjekjet e palodhur, por gjithashtu një homazh për vlerat që na bashkuan atëherë dhe që na bashkojnë edhe sot. Vendimi i tij për të shpëtuar miliona jetë në Kosovë dhe në mbarë botën, nuk ishte, me siguri, i lindur nga komoditeti politik, por nga nevoja morale. Presidenti Clinton e kuptoi se paqja nuk është vetëm mungesa e luftës, por edhe praninë e drejtësisë, siç e dimë të gjithë”.

“Më 24 mars 1999, ndërsa ai ishte duke iu drejtuar kombit amerikan dhe duke i shpjeguar se pse Shtetet e Bashkuara po i viheshin në shpëtim vendin tonë, ai tha ne nuk mund të ikim nga kjo. Nuk mund të lejojmë që gjenocidi të ndodhë sërish në Europë. Nuk mund të lejojmë që një diktator brutal të shkelë të drejtat themelore të një populli të pafajshëm ndërsa bota mbetet e heshtur. Dhe siç ai tha saktësisht, rreziqet e veprimit ishin shumë më të mëdha sesa ato të mosvepruarit, jo vetëm për njerëzit pa mbrojtje, por më e rëndësishmja, për vlerat që ndajmë dhe për sigurinë globale. Dhe falë udhëheqjes së Presidentit Clinton, populli i Kosovës mori mundësinë jo vetëm të mbijetonte, por të bëhej një popull që lulëzon. Na u dha mundësia të ëndërojmë, ta rindërtojmë dhe ta formojmë të ardhmen tonë”, tha ajo.

Osmani tha se sot “Kosova është një dëshmi e asaj që është e mundur kur demokracitë e botës rreshtohen së bashku kundër shtypjes, kur drejtësia mbizotëron mbi frikën, dhe kur komuniteti ndërkombëtar zgjedh veprimin mbi indiferencën, dhe kur e drejta morale dhe ligjore përputhen”.

“Nëse doni ta kuptoni ndikimin e vërtetë të udhëheqjes së Presidentit Clinton, ju ftoj të vini në Kosovë. Fëmijët që dikur ishin të detyruar të fshiheshin në male dhe që përfunduan në kampet e refugjatëve, tani shkojnë lirisht në shkollë, mbajnë libra në dorë, jo barrën e luftës. Ata qeshin, mësojnë, ëndërrojnë, sepse Presidenti Clinton besoi se jetët e tyre meritonin të mbroheshin”, u tha presidentja të pranishmëve.

Ajo tha se “çdo fëmijë i lirë në Kosovë është dëshmia e gjallë që ai mori vendimin e duhur”.

“Sot, Republika e Kosovës e lirë është vendi më demokratik në rajon dhe kombi më pro-amerikan në botë, dhe kjo është një tjetër dëshmi e atij vendimi të duhur. Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë një reflektim i vlerave që e përcaktojnë popullin amerikan. Që nga fillimi dhe gjatë viteve, ajo mbështetje ka kaluar mbi kufijtë e partive”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës e falënderoi edhe ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ashtu si Presidentin Clinton.

“Në emër të të gjithë atyre që i keni shpëtuar nëpër botë, faleminderit. Dhe më e rëndësishmja, në emër të gjithë fëmijëve të Kosovës, të gjeneratës së parë në historinë e kombit tonë, gjeneratës së parë që nuk ka njohur luftë dhe ka jetuar vetëm në paqe. Faleminderit. Urime për këtë çmim”.

Shpërndaje në

U Kopjua