Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është “shumë i zemëruar” me presidentin rus, Vladimir Putin, pas disa javësh negociata për një armëpushim në Ukrainë.
Në një intervistë për NBC News, Trump shprehu zemërimin e tij për sulmet e Putinit ndaj besueshmërisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe paralajmëroi se do të vendoste tarifa deri në 50% për vendet që blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk bie dakord për një armëpushim.
“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë dhe nëse e konsideroj fajin e Rusisë – gjë që mund të mos ndodhë – do të vendos tarifa dytësore për të gjithë naftën që del nga Rusia”, deklaroi Trump.
Ky qëndrim përbën një ndryshim të dukshëm në tonin e tij ndaj Putinit, pasi më parë ai kishte treguar një qasje më të butë gjatë negociatave.
Gjatë javëve të fundit, Trump është kritikuar për qasjen e tij ndaj krizës në Ukrainë, pasi ka kërkuar lëshime nga Zelensky dhe ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj Putinit.
Megjithatë, këto deklarata të fundit tregojnë një përshkallëzim të qëndrimit të tij ndaj Moskës.
Ai theksoi se Kremlini e di për zemërimin e tij, por shtoi se ka pasur gjithmonë “një marrëdhënie shumë të mirë” me Putinin dhe se “zemërimi ikë shpejt… nëse ai bën gjënë e duhur”.
Nëse Rusia nuk zbaton një armëpushim, Trump paralajmëroi se do të godasë më tej ekonominë ruse përmes tarifave të ashpra.
“Do të ketë një tarifë 25% për naftën dhe produktet e tjera të shitura në Shtetet e Bashkuara, tarifa dytësore”, tha ai, duke theksuar se këto masa do të hyjnë në fuqi brenda një muaji nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Pas deklaratave të Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi në rrjetet sociale, duke akuzuar Rusinë se “po kërkon justifikime për ta zvarritur luftën edhe më tej”.
“Putini po luan të njëjtën lojë që ka që nga viti 2014”, tha Zelensky, duke iu referuar aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ai bëri thirrje për një përgjigje të fortë nga SHBA, Evropa dhe partnerët globalë që kërkojnë paqe.
Ndërkohë, Trump konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë me Putinin më vonë gjatë javës.