Live

Deputeti i VV-Muratit: Po flet të pavërteta, vazhdimisht po i sulmon deputetët

19:36 / 05 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kanë debatuar ashpër ministri i Financave Hekuran Murati dhe bashkëpartiaku i tij, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, raporton Ekonomia Online.

Teksa po shytohej Raporti vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, Murati i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Ferat Shala në lidhje më numrin e këshilltarëve politik.

Me këtë rast ai tha se Qeveria ka këshilltarë politik më pak se sa deputetët që kanë asistentë.

“Këshilltarë politik, meqë po pyet deputeti Shala, kam pak secilido ministër para meje. E tërë Qeveria më pak se sa deputetët që kanë asistentë tani”, tha Murati.

Me këtë rast reagoi deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, duke thënë se ministri flet të pavërteta. Ai shtoi se sa herë që Murati vjen në Komision i sulmon deputetët.

“Mos fol të pavërteta se nuk kanë marrë gjithë deputetet. Nuk mund të flasësh të pavërteta, edhe nëse i marrim të gjithë, ju sërish keni më shumë këshilltarë se sa deputetët që kanë asistentë. Sa këshilltarë janë gjithë komplet, nëse jep kësi vlerësime. Ku e ke problemin me deputetët, pse duhesh t’i sulmosh sa herë vjen në Komision? Sa është numri?”, ka pyetur Rrahmani.

Murati duke i’u përgjigjur Rrahmanit tha se “Një ministër i ka gjashtë këshilltarë, 15 ministri bëjnë 90 këshilltarë”.

Rrahmani tha se megjithëse ministri ka të drejtën e angazhimit të gjashtë këshilltarëve, të dy shoferëve, të dy asistentëve, të dy zëvendësministra, ku secili ka një shofer dhe asistent, nuk duhet ta harrojë rolin e deputetit.

Sipas tij, problemi qëndron që shpesh herë është munduar të denigrohet roli i deputetëve, të cilët punojnë në kushte të vështira.

“Dy mandate je zgjedhur deputet ashtu sikur unë, dhe e di jashtëzakonisht mirë me çfarë kushte punojnë deputetet. Nuk kanë zyre ku të zhvillojnë aktivitetin e tyre, deri në këtë muaj nuk ka pasur asnjë person që i ndihmon. Nuk kam asgjë kundër mënyrës si punon një ministër, ku ai ka të drejtën e angazhimit të gjashtë këshilltarëve, të dy shoferëve, të dy asistentëve, të dy zëvendësministra, ku secili ka një shofer dhe asistent, që do të thotë se një ministër në kabinetin e tij ka tre vetura, të paktën katër shoferë, katër asistentë, përveç këshilltarëve të brendshëm dhe të jashtëm të cilët angazhohen përmes donacioneve të ndryshme”.

“Nuk kam asgjë kundër kësaj, besoj se është e drejtë, por jo vetëm sot këtu, por shpeshherë është duke u munduar të denigrohet roli i deputetëve. Duhet të merrni parasysh edhe ju si ministër, qeveria e secili që vjen, deputeti është përfaqësues i popullit, ju jeni të përzgjedhur nga ne. Ata që kanë dashur të vazhdojnë me qenë deputet vazhdojnë, ata që janë zgjedh në qeveri e ministri, duhet me ditë që pa marrë parasysh vinë prej pozite ose opozite, me respektua pozicionin e njëri tjetrit. Ju kisha lut me pas kujdes të paktën me na respektua, ashtu si ju respektojmë edhe ne si deputetë”, tha Rrahmani.

Shpërndaje në

U Kopjua