Dëshmia e nënës së Mark Samson lidhur me vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula ka nxjerrë detaje të reja dhe ka ngritur dyshime për mundësinë e ndihmës nga prindërit në fshehjen e trupit të viktimës. Në dëshminë e saj, Nors Mazlapan, nëna e autorit, ka treguar për armiqësinë mes saj dhe viktimës, duke u shprehur: “Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë, djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”.
Dëshmia ka hedhur dritë mbi marrëdhënien mes viktimës dhe familjes Samson, të cilët jetonin në një apartament në lagjen “Africano” të Romës. Marku, i cili ka vrarë Ilarian dhe më pas ka hedhur trupin e saj në një humnerë të thellë në Capranica Prenestina, e ka bërë këtë krim në banesën e tij, ndërsa prindërit e tij dyshohen për bashkëpunim në fshehjen e trupit.
Nors Mazlapan dhe bashkëshorti i saj, Rik Samson, mund të përballen me akuzat për bashkëpunim në vrasje me paramendim dhe fshehje kufome. Ata kanë pohuar se, gjatë natës kur ka ndodhur vrasja, ata po flinin dhe nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë nga dhoma e Markut, ku ka ndodhur ngjarja. “Po flija. Nuk kuptova asgjë. Ditën tjetër dola nga shtëpia,” ka deklaruar gruaja gjatë marrjes në pyetje nga policia.
Megjithatë, hetuesit kanë dyshime për versionin që ata kanë dhënë, pasi babai i Markut ka thënë më parë se kishte dalë dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen. Deri tani, dy javë pas ngjarjes, prindërit nuk kanë mundur të shpjegojnë qartë veprimet e tyre gjatë asaj periudhe, dhe është e paqartë se sa e ndihmuan ata djalin e tyre në realizimin e këtij krimi të rëndë.
Gjithashtu, shumë banorë të pallatit dhe fqinjë të ndërtesës përballë kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar asnjë britmë nga apartamenti i familjes Samson gjatë natës së vrasjes, çka ka shtuar dyshimet rreth ndihmës së mundshme të prindërve në fshehjen e trupit të viktimës. Tensionet janë rritur edhe mes komunitetit filipinas në lagje, dhe hetuesit janë duke shqyrtuar gjithashtu marrëdhënien mes nënës së autorit dhe viktimës, pasi besohet se kishte një armiqësi të heshtur ndaj vajzës.
Ky konflikt mes nënës dhe të dashurës së të birit, ndoshta i lidhur me bindjet fetare të nënës, mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjen tragjike që ka lënë pas një vrasje të rëndë dhe një familje të shkatërruar.