Gjykata Themelore në Suharekë ka dalur me detaje të reja se si ka ndodhur sulmi para oborrit të Gjykatës, ku ka pasur edhe të lënduar.
“Në ato moment ka reaguar edhe sigurimi fizik i Gjykatës, (të cilët ndodheshin brenda objektit të Gjykatës), dhe kanë ndaluar konfliktin dhe menjëherë është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurën hetimore, dhe palës që ka pësuar lëndimet i është dhënë ndihma mjekësore, derisa kanë arritur ekipet e emergjencës”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Sot me date 18.06.2025, në ora 11:00, në Gjykatën Themelore – Dega në Suharekë, ka ndodhur një incident në mes të palëve që kanë qenë të ftuar për shqyrtim gjyqësor.
Pranë Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë, me 28.02.2025, është pranuar lënda në Departamentin Penal, ndaj një (1) të akuzuarit. B.B., për shkak të veprës penale lëndim I lehtë trupor, ku i dëmtuar është pala H.K., (ngjarje e cila kishte ndodhur me datë 28.12.2024).
Gjyqtari i procedurës, ka caktuar shqyrtimin fillestar, për datën e sotme 18 qershor, nga ora 11:00.
Në hyrjen e oborrit të Gjykatës, kur palët po hynin (pa kaluar kontrollin e sigurimit dhe kontrollit fizik), pala H.K., ka nxjerrë një mjet të forte nga çanta e tij, dhe sulmon personin B.B.,.
Në ato moment ka reaguar edhe sigurimi fizik i Gjykatës, (të cilët ndodheshin brenda objektit të Gjykatës), dhe kanë ndaluar konfliktin dhe menjëherë është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurën hetimore, dhe palës që ka pësuar lëndimet i është dhënë ndihma mjekësore, derisa kanë arritur ekipet e emergjencës.
Gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë, ka ofruar bashkëpunimin e plotë për Policinë e Kosovës me qëllim të zbardhjes së ngjarjes.